Kodi etik i bjeshkatarëve të Kosovës
Federata Bjeshkatare Alpiniste e Kosovës
„Kodi etik i bjeshkatarëve të Kosovës“ i mbron, i mban lart dhe i zhvillon praktikat dhe traditat më të vlefshme të bjeshkatarëve të Kosovës. Ai është miratuar njëzëshëm në mbledhjen e Kryesisë së Federatës Bjeshkatare Alpiniste të Kosovës, më 15 dhjetor 2016 në Prishtinë.
Qëllimet
Qëllimet kryesore të „Kodit etik të bjeshkatarëve të Kosovës“ (në vazhdim „Kodi etik“) janë:
- Sigurimi i marrëdhënieve të qëndrueshme njerëzore brenda dhe jashtë komunitetit bjeshkatar dhe alpinist.
- Ruajtja e bukurive dhe e origjinalitetit të natyrës duke përfshirë ujërat, florën dhe faunën.
- Nxënia dhe zgjerimi i njohurive për malet dhe bjeshkët tona, promovimi i tyre dhe i vlerave tona njerëzore e bjeshkatare këtu dhe jashtë vendit.
- Kultivimi i mëmë/atëdhedashurisë dhe barazisë pavarësishtë nga bindjet fetare ose politike, përkatësia gjinore, racore apo etnike e tjerë.
Rregulla dhe vërejtje
- „Kodi etik“ është universal, i përbotshëm dhe i vlefshëm kudo, në bjeshkë e në luginë.
- Çdo anëtar i FBAK- ut vetëvullnetshëm mban obligim moral që të vepron në përputhshmëri të plotë me të gjitha parimet e „Kodit etik“.
- Çdo bjeshkatar dhe alpinist duhet të jetë shembull për të tjerët, sidomos për fëmijët dhe të rinjtë.
- Njoftimi gjithpërfshirës i anëtarëve të rinj me „Kodin etik“ është një nga detyrat më thelbësore të shoqërive bjeshkatare.
- Inkluzioni, të jetuarit e shëndetshëm si dhe të gjitha vlerat e tjera bjeshkatare dhe alpiniste të bazuara në ndershmëri, bujari, respekt, mirësjellje, besë, besnikëri, zemërgjerësi, mirënjohje, miqësi, paqe, sinqeritet, tolerancë, humanizëm, solidaritet, gjithëpërfshirje, sakrificë, vullnetarizëm e tjerë, janë gjithashtu pjesë e „Kodit etik“.
Parimet
I. Modestia
Ne e respektojmë punën dhe të arriturat e të tjerëve ashtu siç kemi dëshirë të respektohen tonat dhe nuk jemi të zhurmëshëm (tekstualisht dhe figurativisht) as në male e as gjetiu.
II. Përgjegjësia individuale
Ne jemi të vetëdijshëm se jemi të ekspozuar në një rrezik shumë më të lartë gjatë aktiviteteve tona në male. Me veprimet tona ne nuk duam të rrezikojmë askënd, as mjedisin as njerëzit.
III. Fryma ekipore
Si pjesë e një ekipi, ne jemi të gatshëm të bëjmë kompromise, kemi konsideratë dhe i mbështesim të gjithë pjesëtarët e tjerë.
IV. Komuniteti bjeshkatar dhe alpinist
Ne kemi respekt ndaj të gjithë atyre që i takojmë në male, veçanërisht ndaj popullatës vendëse. Ne i trajtojmë ata ashtu siç kemi dëshirë të trajtohemi vetë.
V. Mysafir në vende të huaja
Të kuptuarit e kulturave të huaja është pjesë thelbësore e përvojës së plotë bjeshkatare. Në vendet e huaja, ne jemi mysafirë. Ne sillemi me respekt të veçantë ndaj popullatës nikoqire, maleve dhe vendeve të tyre të shenjta. Ne i respektojmë doket, konfesionin dhe objektet e tyre sakrale.
VI. Nikoqir në vendin tonë
Bjeshkatarë dhe vizitorë jabanxhi, jeni të mirëseardhur ngado dhe kushdo qofshi! Bukë, kripë e zemër sipas zakonit dhe parimeve të „Kodit etik“ do të keni në çdo hap.
VII. Përgjegjësitë e udhëheqësit në bjeshkë
Si udhëheqës apo prijës në bjeshkë, ne e kryejmë detyrën tonë me ndërgjegje të pastër dhe me të gjithë kapacitetin tonë intelektual. Ne posedojmë njohuri dhe përvoja të nevojshme për planifikimin, organizimin dhe udhëheqjen e ndërmarrjeve bjeshkatare dhe alpiniste në vendin tonë dhe kudo tjetër.
VIII. Qasja dhe mbrojtja e natyrës
Qasjet në male, bjeshkë dhe shkëmb i konsiderojmë si të drejta tona natyrale, ato ju përkasin të gjithve dhe nuk mund të bëhen vegëza të ndonjë botëkuptimi të caktuar religjioz. Gjatë aktiviteteve tona ne respektojmë pronën e huaj, e mbrojmë mjedisin dhe kujdesemi për të. Ne angazhohemi në mënyrë aktive në mbrojtje të natyrës, ujërave, florës dhe faunës.
IX. Sjellja
Në bjeshkë: Ne jemi të gjelbërt. Prandaj, përpiqemi që malet, shtëpitë dhe kasollet bjeshkatare t`i lëmë ashtu siç i kemi gjetur. Edhe të tjerët duhet të kenë mundësi për ushtrim të aktiviteteve të tyre në një mjedis dhe ambient të pacenuar.
Në shoqëri: Ne jemi legalist, i respektojmë linjat institucionale, jemi korrekt ndaj njëri-tjetrit dhe të tjerëve, shërbehemi gjithmonë me argumente objektive e profesionale e jo me asi të natyrës personale.
X. Prezentimi jashtë vendit
Jashtë vendit ne përfaqësojmë jo vetëm komunitetin tonë bjeshkatar, por edhe vendin tonë. Andaj, gjatë ndërmarrjeve tona jashtë vendit, ne respektojmë vendin nikoqir, identitetin tonë dhe identitetin shtetëror të vendit tonë.
I bazuar në:
- Përvojën tonë bjeshkatare mbi tetëdhjetë vjeçare
Në harmoni me:
- Deklaratën e Katmandusë; UIAA, 1982
- Kodin etik për ekspedita; UIAA, 1987
- Deklaratën e Tirolit; UIAA, 2002
- Deklaratën etike bjeshkatare; UIAA, 2009
Kushtuar:
- Popullit të Republikës së Kosovës
Prizren, 03 dhjetor 2016
Abdurahim Abdushi, Nënkryetar i FBAK- ut