Nanga Parbat
8.125m lmd rangu i nëntë nga 14 majet mbi 8000m lmd
Nanga Parbat në sanskrit do të thotë “bjeshkë e zhveshur” e njohur edhe me emrin Diamir “mbreti bjeshkëve”- është një maje në himalajat përendimore dhe ndodhet në veri të Pakistanit, në krahinën Gilgit-Baltistan. Faqja e saj jugore e quajtur “Rupal Face” me një lartësi prej 4500 metrash është më e larta në botë. Ndër alpinistë konsiderohet si njëra nga majet më sfiduese e cila deri në fund të vitin 2009 është pushtuar gjithsejtë 326 herë, duke përfshirë 22 gra dhe 4 alpinistë me nga dy pushtime. Mirëpo kundruall këtyre sukseseve qëndron numri i 68 alpinistëve të cilët gjetën vdekjen gjatë përpjekjeve për arritjen e majës. => Në një pllakë përkujtimore kushtuar një alpinisti të panjohur diku në alpet austriake e kam lexuar këtë epitaf: “O zoti madh, të gjithë rrugët qojnë tek Ti, njëra nga to kalon nëpër Nanga Parbat”.
Expeditat 1895 – 1952
Përpjekjen e parë për ta pushtuar atë e ka ndërmarrë kacavjerrësi anglez më i mirë i kohës Albert Frederic Mummery, pushtuesi i parë i Matterhorn- it nga kreshta Zmuttgrat. Ai arrin të ngjitet nga ana perendimore deri në një lartësi prej afro 6600m lmd, ku dhe në përpjekje për të kaluar në lugun Rakhiot zhduket së bashku me dy Gurkha-ndihmësit e tij. Pikërishtë kjo ndërmarrje shënon edhe fillimin serioz bjeshkatarë të pushtimeve të majave mbi 8000 metërshe.
Të rëndësisë së veçantë janë edhe tentimet e viteve të 30- ta të alpinistit gjerman Willy Merkel, udhëheqës i ekspeditave: amerikano- gjermane me 1932 dhe ekspeditës gjermane me 1934. Në vitit 1934 në fillimet e expeditës gjen vdekjen alpinistit Alfred Drexler nga sëmundja e lartësisë HAPE (high-altitude pulmonary edema), në atë kohë kjo sëmundje ishte ende e panjohur, konsiderohej dhe mjekohej si kallje e mushkërive. Pastaj, pasiqë dy alpinistë të shkathët gjermanë Peter Aschenbrenner dhe Erwin Schneider arrijnë lartësinë prej ~7850 metrash fillon dhe tragjedia ku në një stuhi bore e cila zgjati një javë të tërë humbën jetën alpinistët gjermanë Uli Wieland, Willo Welzenbach e Willy Merkel si dhe gjashtë sherpa- ndihmës. Willy Merkel me dy sherpa-ndihmës të tij tentoi për herë të fundit me 13 korrik të zbres nga kampi VII në atë VI. Mirëpo nga lodhja e tepërt edhepse i ndihmuar nga sherpat mbeti në gjysmërrugë. Njëri nga sherpat vazhdoi rrugën dhe arrin në kampin VI ndërsa sherpa Gay-Lay gjen vdekjen i mbështjellë në një batanije me “zotërinë e tij” në një zgavër bore në mes kampit VII (7050m) dhe VI (6185m). Vetëm ata të cilët arritën të zbresin në kampin e VI i shpëtuan kësaj drame. Kjo ngjarje e rëndë bëri jehonë të madhe në mediat e kohës dhe u keqpërdor nga mediat naziste duke glorifikuar kinse gadishmërinë e gjermanëve për vetëflijim. Që nga kjo kohë Nanga Parbat njihet me nofkën “bjeshka e fatit gjerman”.
Në expeditën e rradhës, e ndihmuar nga regjimi nazist, në vitin 1937 nën udhëheqjen e dr. Karlo Wien nën një ortek, në gjumë, në kampin VI humbën jetën 16 alpinistë (gjashtë gjermanë dhe nëntë sherpa).
Ekspedita e vitit 1938 nën udhëheqjen e alpinistit me përvojë Paul Bauer (i cili ishte pjesë e sistemit nazist) ishte mbështetur edhe nga një aeroplan JU 52 nuk arrin lartësinë e vitit 1934, mirëpo pjestarët e kësaj ekspedite gjejnë kufomat e Willy Merkel dhe Gay-Lay siq është përshkruar më lartë. Ky lajm prekës në plotkuptimin e fjalës mori dhenë dhe bëri që imazhi mbi besnikërinë e popullit sherpa të forcohët edhe më shmë, imazh i cili nuk ka ndryshuar deri në ditët e sotme.
Ekspedita tjetër pason në vitin 1939, e njëjta ishte në përfundim e sipër kur fillon lufta e II botërore. Kjo ekspeditë edhe pse nuk arriti ta pushton majën u bë e famshme përmes librin “Shtatë vite në Tibet”, të autorit Heinrich Harrer i cili ishte pjesëmarrës i kësaj ekspedite. Ky libër u filmua në Hollywood në vitin 1997 (Brad Pitt).
Expedita e vitit 1953
Në këtë ekspeditë të udhëhequr nga mjeku i Mynihu Karl Maria Herrligkoffer (vëllau i vogël prej nëne i udhëheqësit të paraluftës së II botërore - Willy Merkel) ishte edhe përjetuesi i tragjedisë së vitit 1934 Peter Aschenbrenner në cilësinë e udhëheqësit të alpinistëve, sepse vetë Karl Maria nuk kishte njohuri bjeshkatare. Pjesë e kësaj ekspedite ishte edhe një bjeshkatarë nga Tiroli i Austrisë i cili punonte në shitorën e pajisjeve sporive Schuster të Mynihut e cila egziston ende dhe mburret me të, ai ishte Herman Buhl (1924 – 1957). Udhëheqësia e ekspeditës asokohe për shkak të motit të keq vendosi që të ndërpres ekspeditën. E në lidhje me këtë informohen edhe të gjitha skuadrat në kampet e ndryshme. Mirëpo individualisti Herman Buhl rebelohet dhe në një akcion solo, të pakrahasueshëm, pa oksigjen artificial, kalon ~1300 metra lmd, pushton majen ku e vendos flamurin e Tirolit, dhe arrin i etur e i rraskapitur nën halucinacione dhe me ngrirje të rënda të shputës së djathtë, në dukje për shumë vite i mplakur në kampin nga ku para 41 orësh kishte startuar sulmin. Për atë kohë një ndërmarrje e tillë konsiderohej si e pamundëshme. Ishte një sukses individual i një bjeshkatari të jashtëzakonshëm, mirëpo mirënjohjen e merituar i njëjti nuk e merr nga Karl Maria.
Pavarësishtë se stili udhëheqës i Karl Maria Herrlighoffer- it ishte dhe mbeti shumë i dikutueshëm, ai ishte organizuesi, mbledhësi i mjeteve financiare nga sponzorë të ndryshëm si dhe udhëheqës i tetë ekspeditave deri në vitin 1975.
Expeditat 1961 - 1969
Në ekspeditën e vitin 1961 K. M. Herrlikhoffer eksploron një marshutë të re në krahun Diamir. Pjesëmarrësi i kësaj expedite Toni Kinshofer atëbotë arrin deri në lartësinë 7150m nëpër këtë marshutë të re dhe më pak të rrezikshme.
Në ekspeditën e vitit 1962 e organizuar dhe e udhëhequr nga Karl Maria, tre bavarezë Toni Kinshofer, Sigfied Löw dhe Anderl Mannhardt pushtojnë majën dhe gjatë zbritjes Sigi Löw rrëzohet për vdekje ndërsa dy të tjerët shpëtojnë me ngrirje të rënda.
Në vitin 1963 prapë një ekspeditë eksploruese e të njëjtit nga krahu jugor- Direttissima “Rupal Face”. E cila ndërpritet pa ndonjë sukses. Ndërsa ekspeditat e viteve 1964 dhe 1968 edhe pse të përbëra nga alpinistë të fortë nuk arritën ta pushtojnë majën. Që të dyja ishin të udhëhequra nga K. M. Herrlighoffer.
Expedita e vitin 1970
Vëllezërit Günter dhe Reinhold Messner kacavjerrës të shkëlqyeshëm nga Tiroli Jugorë ishin pjesë e ekspeditës së K. M. Herrlighoffer. Qëllimi i ekspeditës mbeti i njëjtë mirëpo marshuta e zgjedhur ishte më e vështirë - përmes “Rupal Face”...
Ngaqë në mbrëmjen e 26 korrikut nga base-camp signalizohet gabimishtë(!) mot i keq, Reinhold Messner pa paralajmërim pas mesnatës me 27 korrik, solo, starton pushtimin e majës së Nanga Parbat, pa pajisje bivakimi, pa tendë, pa litarë, pa hartë... dhe me shumë pak ujë e ushqim. Ca orë më vonë i vëllau Günter pasi që e vëren zhdukjen e Reinhold- it përgaditet shpejtë dhe i vihët të vëllaut mbrapa. Pak para majës Günter e arrin të vëllaun dhe së bashku pushojnë majen. Aty Reinhold e heton pasigurinë e të vëllaut. E kishte prekur sëmundja e lartësisë. Ka nxituar për ta nxënë të vëllanë. Tani ishte vonë, tepër vonë që të ktheheshin në kamp para territ. Reinhold duhej të shpëtonte të vëllanë. Duhej sa më shpejtë të zbritnin nën zonën e vdekjes. Nga ti ja mbajë? E bisedojnë dhe vendosin të zbresin nga ana Diamir (ana perendimore). Zbritja ishte e ngadalshme, shumë e ngadalshme dhe të detyruar kalojnë natën më të gjatë të jetës në zonën e vdekjes në 7800m lmd. Të nesërmen vazhdojnë zbritjen e tmerrshme. Kalojnë edhe një natë horrori. Në mëngjezin e dytë vazhdojnë zbritjen shpatit Diamir. Ishin shumë afër rrëzës, shpëtimit. Reinhold prapë largohët në kërkim të shtegut. Tinëzishtë lëshohet një ortek. Reinhold i ulur pret të vëllanë. Kot... Kalojnë vite. Fajësohet për humbjen e të vëllaut. Nuk i besojnë. Vuajtje. Në vitin 2004 pas një analize të një ashti të gjetur në akullnajën rrëzë shpatit Diamir konstatohet se i njëjti i takon të ndjerit Günter Messner...
Këpuca e Günter Messner, e gjetur pas një çerek shekulli.
Castle Firmian - Messner Mountain Museum - Bolzano
Bibliografi:
- „Die weisse Einsamkeit“ nga Reinhold Messner, Botimi i tretë 2007, Piper Verlag, München
- „Achttausend drüber und drunter“ nga Hermann Buhl, 2008, Piper Verlag, München
- „Nanga Parbat“ nga Horst Höfler, botimi parë 2002, AS Verlag, Zürich